Me 4 nëntor 2020 u mbajt takimi inaugurues i aleancës së universiteteve, i quajtur AURORA. Universiteti i Tetovës është partner i asocuar në këtë rrjet prestigjioz universitetesh simotra në kuadër të programit Erasmus+.
Mbledhja kishte në fokus shpalosjen e Programit të mbështetjes për zhvillim të kapaciteteve, i cili synon të zvogëlojë pabarazitë midis vendeve udhëheqëse në fushën e hulumtimit dhe zmadhimit të rolit pozitiv të universiteteve në shoqëri.
Gjatë kësaj mbledhjeje virtuale, të udhëhequr nga Universiteti Vrije i Amsterdamit në Hollandë dhe Universiteti Palacky Olomouc në Çeki, prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar,Doc. Dr. Shefik Shehu, dhe përgjegjësja e zyrës së projekteve, Mr. Sc. Gjeraqina Leka, paraqitën rrjetëzimin e Universitetit të Tetovës dhe pozicionimin shoqëror në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në rajon.
Gjatë diskutimit të përbashkët u biseduan edhe mundësitë e formimit të ekipeve speciale akademike brenda secilit universitet për realizimin e qëllimeve dhe aktiviteteve të projektit. Në këtë kontekst, nga prorektori Shehu u sugjerua fokusimi në zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve të rrjetit AURORA edhe në fusha tjera, përfshirë këtu dhe nënprogramet e platformës Erasmus+, sugjerim i cili u përshëndet nga pjesëmarrësit e tjerë si qasje e duhur në drejtim të përforcimit të rrjetëzimit dhe ndërtimit të kapaciteteve kërkimore-shkencore në mënyrë të ndërsjellë. Universiteti i Tetovës do ta bartë rolin udhëheqës në diseminimin e synimeve të rrjetit në vendet e Ballkanit Perëndimor përgjatë tri viteve të ardhshme.