Universiteti i Tetovës për tri ditë me radhë ishte nikoqir i Turneut Ndërkombëtar të Volejbollit në Rërë që u mbajt prej 2 deri më 4 korrik. Përgjatë këtyre ditëve tifozët patën mundësi të argëtohen me volejboll kualitativ, me aksione dhe dyluftime të forta.
Në mbylljen zyrtare të këtij evenimenti të pranishëm ishin: Kryetari i Federatës së Volejbollit në Maqedoninë e Veriut, z. Petar Jovanovski, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, dekanë, profesorë, emra të njohur të volejbollit, studentë dhe sponsorët të cilët ndihmuan në realizimin e këtij turneu.
Në këtë ngjarje sportive morën pjesë skuadra të njohura të volejbollit nga vendi ynë, Shqipëria, Serbia, Turqia, Bullgaria, Republika e Kosovës, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Kroacia, ndërsa katër ekipet më të mira luajtën për tre vendet e para. Fituese e turneut u shpall përfaqësuesja e Serbisë me lojtarët Milosh Miliq e Aleksandar Gavrilov, vendi i dytë i takoi përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, respektivisht nga Universiteti i Tetovës me lojtarët Hamza Vejseli dhe Adriatik Berisha, teksa përfaqësuesja e Kosovës me lojtarët Faton Mustafa dhe Armend Berisha përfundoi e treta.
Skuadrës së vendit të tretë, gjegjësisht përfaqësueses së Kosovës, medaljen ia ndau përfaqësuesi i bizneseve, Mr. Sc. Ibrahim Dehari, teksa skuadrës së vendit të dytë, përkatësisht ekipit të Maqedonisë së Veriut medaljen ia ndau Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ndërkaq fituesit të turneut, ekipit të Serbisë, medaljen ia ndau kryetari i Federatës së Volejbollit në Maqedoninë e Veriut, z. Petar Jovanovski.
Mirënjohje morën edhe sponsorët të cilët mundësuan realizimin e kësaj ngjarjeje sportive, të cilat ua ndanë legjenda e volejbollit në vendit tonë, z. Namikqemal Mustafa dhe Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Haki Ismaili.
Ky eveniment u përmbyll me një koktej ku të pranishmit patën mundësi të ndanin eksperiencat dhe përshtypjet e tyre dhe të diskutonin rreth organizimit të ngjarjeve të këtilla edhe në të ardhmen.