Me moton “Planeti Ynë – Shëndeti Ynë”, Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë i Universitetit të Tetovës e shënoi 7 Prillin – Ditën Botërore të Shëndetit. Me shënimin e kësaj dite, Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë iu bashkëngjit aktiviteteve të shumta që Organizata Botërore e Shëndetësisë i organizon në të gjithë botën, me qëllim të sensibilizimit të opinionit mbi rëndësinë që i duhet kushtuar mbrojtjes së planetit dhe kujdesit ndaj shëndetit.

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë në Universitetin tonë, Prof. Dr. Nevzat Elezi, në fjalën e tij shprehu mirënjohje për kontributin e të gjithë atyre mjekëve të cilët u kujdesën për shëndetin e shumë njerëzve gjatë periudhës së pandemisë, të cilët fatkeqësisht sot nuk janë në mesin tonë. “Dita e sotme kremtohet me atë se duhet ta ruajmë planetin, që të kemi edhe shëndet të mirë, por kolegët tanë duke u përkujdesur për shëndetin e pacientëve e humbën jetën e tyre. Kështu që, respekt të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e Universitetit të Tetovës, siç janë Dr. Fehmiu, Dr. Ramadani, Dr. Deari, e shumë të tjerë, të cilët humbën jetën me pandeminë, me një armik të panjohur. T’i respektojmë edhe ata në këtë ditë të shëndetësisë! Një nder të madh të gjithë kolegëve profesorë, të cilët mundohen me mundin, dijen dhe angazhimin e tyre t’u japin studentëve, kolegëve tanë të ardhshëm, si dhe një respekt të veçantë për këta profesorë, të cilët mundohen që gjatë ushtrimit të profesionit të mjekut të japin kontributin e tyre në maksimum në përkujdesjen e tyre ndaj pacientëve”, tha dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Nevzat Elezi.

Në shënimin e Ditës Botërore të Shëndetit, fjalë rasti mbajti edhe drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Dr. Amir Elezi. Ai tha se, këtë vit OBSH-ja është përcaktuar që kryefjala të jetë “Planeti ynë, shëndeti ynë’, ndërsa unë do të apeloja te të gjithë që të jemi të kujdesshëm, të gjithë të angazhohemi, të jemi më ambientalist, të mundohemi që edhe pjesën e nutricionizmit ta kemi parasysh aspektin shëndetësor. “Një  aspekt shumë i rëndësishëm, të cilin nuk duhet ta anashkalojmë, është edhe angazhimi ynë i përbashkët që t’u sigurojmë mjekëve tanë një infrastrukturë të nevojshme, që ata të jenë në gjendje ta ushtrojnë profesionin e tyre me të gjitha premisat dhe t’i vënë në zbatim të gjitha njohuritë që i kanë në aspektin e shëndetësisë dhe, për këtë duhet një angazhim shumë i madh në nivel të shtetit edhe në nivel të të gjitha pjesëve të tjera të shoqërisë, edhe në forma të donacioneve, që të mundohemi mjekëve tanë, punonjësve shëndetësorë t’u mundësojmë kushte të mirëfillta për punë, me të vetmin qëllim që ata të jenë sa më të suksesshëm në punën e tyre dhe benefitet do t’i përfitojë edhe popullata, që do t’i merr shërbimet cilësore, mirëpo edhe sistemi shëndetësor do të jetë më i kompletuar në këtë drejtim”, theksoi drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Dr. Amir Elezi.

Në shënimin e 7 Prillit – Ditës Botërore të Shëndetit, i pranishëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Dr. Bekim Sali. Ai, duke i uruar mjekët dhe punonjësit shëndetësorë për Ditën e Shëndetit, fjalimin e tij e fokusoi në disa nga aktivitetet që Ministria e Shëndetësisë i zbaton për avancimin e sistemit shëndetësor. Ai, para profesorëve të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë dhe studentëve shpalosi edhe disa vendime të sjella nga Ministria e Shëndetësisë, në mesin e të cilave edhe programin e ri për  specializim për mjekësi familjare. “Për herë të parë në Universitetin e Tetovës e prezantojmë programin e ri për specializim në mjekësinë familjare. Ky është investim afatgjatë, i cili do të prodhojë staf profesional në këtë specializim. Lidhur me risinë e dytë, kemi iniciuar zgjerimin e veprimtarisë së këtij institucioni, Spitalit Klinik të Tetovës, për të kryer kujdesin specialistik-konsultativ dhe spitalor shëndetësor në nivelin sekondar, në fushën e kirurgjisë së gjirit. Gjithashtu, kemi iniciuar zgjerimin e aktivitetit të këtij institucioni për zbatimin e kujdesit shëndetësor specialistik-konsultativ në nivelin sekondar në fushën e mjekësisë nukleare. Po ashtu, është duke u finalizuar procedura për zgjerimin e aktiviteteve, me çka do të përfundojë procesi i avancimit të cilësisë së kujdesit shëndetësor, që u ofrohet pacientëve nga Tetova dhe gjithë rajonit të Pollogut. Edhe një tjetër risi për mjekët që aplikojnë në specializim ose subspecializëm është se të gjithë universitetet, përfshirë edhe UT-në, do të marrin nota të barabarta në formimin e vlerësimit për fitimin e të drejtës së specializimit ose subspecializimit, ndryshe nga më parë, kur një nga komponentët e vlerësimit ishte renditja e universitetit në të cilin kandidati e ka marrë diplomën sipas listës së Shangait. Paralelisht me këto risi, së bashku me menaxhmentin e Spitalit Klinik të Tetovës po punojmë në gjetjen e mundësive për zgjerim hapësinor, për riparimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të objektit, si dhe për zgjerimin e ekipit mjekësor, për t’i përmbushur nevojat shëndetësore të popullatës së këtij rajoni. Tetova dhe rajoni i Pollogut, në përgjithësi, meritojnë një Spital Klinik dinjitoz, i cili i plotëson të gjitha standardet bashkëkohore shëndetësore”, u shpreh me këtë rast ministri i Shëndetësisë, Dr. Bekim Sali.

Aktiviteti për shënimin e 7 Prillit – Ditës Botërore të Shëndetit u përmbyll me një ligjëratë profesionale nga Prof. Dr. Sadi Bexheti, me temë: “Për planet të shëndoshë”. Ai para të pranishmëve, në pika të shkurtra foli rreth organizimit të një jete të shëndetshme, gjithmonë duke u kushtuar rëndësi ujërave, mbajtjes së ambientit të pastër dhe kujdesit të shtuar, që të mos ndotet ambienti. Ai, po ashtu apeloi që sa më pak të përdoren materialet plastike dhe njëkohësisht të bëhet riciklimi i tyre, të bëhet mbjellja e drunjve, dhe vetëm duke u përkujdesur në këtë mënyrë do të arrijmë që të kemi një ambient të pastër dhe të gëzojmë shëndet të plotë.