Të nderuar miq,
Me rastin e 114- vjetorit të Kongresit të Manastirit, në emër të Universitetit të Tetovës kam nderin t’ua uroj këtë datë historike, që paraqet njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të popullit tonë, në të cilën u bë unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe. Prej 14 deri më 22 nëntor 1908 u mblodh Kongresi i Manastirit, për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare, në radhë të parë për të zgjidhur çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, njësimi i të cilit ishte bërë një problem i mprehtë politik, arsimor dhe kulturor, si një kërkesë e ngutshme e Lëvizjes Kombëtare.
Vendimet e Kongresit, që ishin kurorëzim i përpjekjeve të shumë brezave lëvruesish të shqipes, për afrim e njësim, u mirëpritën nga rrethet kulturore shqiptare brenda dhe jashtë vendit dhe u vunë menjëherë në zbatim.
Ne përkulemi me nderimin më të madh për të gjithë aktorët e kësaj ngjarjeje të madhe historike dhe me dinjitet e nderojmë ditën e Alfabetit shqip në përvjetorin e tij të 114-të.
Gëzuar përvjetorin e shkronjave shqipe! Gëzuar festat e Nëntorit!
Rektori
Prof. Dr. Vullnet Ameti