Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, më 16 dhjetor 2017, në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u laureua me çmimin Doktor Nderi (Doctor Honoris Causa) nga Universiteti i Ilinoisit Verior(NIU – Northern Illinois University). Me këtë akt, Northern Illinois University, për herë të parë në historinë e vet e laureon me titullin më të lartë shkencor që ndajnë universitetet, Doctor Honoris Causa, një personalitet jashtë territorit të SHBA-ve, respektivisht Rektorin e Universitetit të Tetovës Prof. Dr.Vullnet Ameti.
Në ceremoninë solemne të diplomimit të studentëve të nivelit master dhe të studimeve të doktoraturës, që u mbajt në njërën nga sallat e Northern Illinois University, ku ishin të pranishëm presidentja e këtij universiteti, prorektorët, dekanët, studentët dhe familjarë të tyre, prorektori i këtij universiteti, njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit recensues Prof. Dr. Bradley Bond, u shpreh se bordi administrues i Northern Illinois University ndan titullin Doctor Honoris Causa për Rektorin e Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti me propozimin e stafit akademik dhe me rekomandimin e stafit drejtuestë Universitetit. “Këta tituj u ndahen personave të cilët e kanë dëshmuar veten si udhëheqës dhe inovatorë në fushat e tyre. Sot ne i ndajmë titullin Doktor Nderi, Prof. Dr. Vullnet Ametit, të cilin e njohim si udhëheqës në arsimin e lartë. Kjo mirënjohje e thellë vjen si rrjedhojë e angazhimit permanent të Prof. Dr. Vullnet Ametit në sendërtimin e Universitetit, për rolin pozitiv që luan në të mirë të komunitetit të gjerë në Republikën e Maqedonisë dhe në rajon, promovimin e vlerave të mirëfillta akademike dhe shoqërore si dhe bashkëpunimin universitar në rrafshin global. Ai para opinionit amerikan dhe mbarëbotëror shkëputi historikun e shkurtër të Universitetit të Tetovës, mënyrën e mbajtjes sëligjëratave të para, shtypjen nga ana e shtetit maqedonas përmes forcës së policisë etj” – shtoi Prof. Dr. Bradley Bond.
Pjesë e fjalimit të tij ishte edhe biografia e Rektorit të UT-së Prof. Dr.Vullnet Ameti si dhe në pika të shkurtra ai u fokusua edhe në bashkëpunimin mes Northern Illinois University dhe Universitetit të Tetovës, ku theks të veçantë i kushtoi themelimit të Qendrës për paqe dhe komunikim transkulturor.
Diplomën me titullin Doctor Honoris Causa i Northern Illinois University, luareatit Prof. Dr. Vullnet Ameti, ia ndau presidentja e këtij Universiteti, Prof. Dr. Lisa C.Freeman.
Pas marrjes së këtij çmimi, laureati Prof. Dr. Vullnet Ameti, para stafit drejtues, profesorëve dhe studentëve të këtij universiteti prestigjioz amerikan tha:
“I nderuar Bord Drejtues, Presidente Freeman, drejtues të fakulteteve, staf mësimdhënës, prindër dhe të nderuar të diplomuar:
Është kënaqësi të jem mes jush në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm. Do të doja t’ju falënderoj të gjithëve në Universitetin e Ilinoisit Verior për këtë nder të madh. Duke ju parë sot, si e festoni këtë moment shumë të rëndësishëm të jetës suaj me profesorët, familjarët dhe miqtë tuaj, kujtoj kohën time si student në Universitetin e Prishtinës, në Kosovë, gjatë epokës së komunizmit. Ne nuk mund të festonim si festoni ju sot këtu, sepse ne ishim me prejardhje shqiptare. Ne jemi përballur vazhdimisht me diskriminimin dhe terrorin shtetëror. Ato ishin kohë shumë të vështira për ne, veçanërisht për brezin e ri dhe për popullsinë shqiptare në ish-Jugosllavi. Shumë prej nesh përfunduan në burg ose u detyruan të largoheshin nga vendi. Ne u përballëm me dilemën hamletiane “të jesh ose të mos jesh”, por kjo na bëri më të fortë dhe të pathyeshëm.
Me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me besimin në një të ardhme më të mirë, erdhën mundësi të reja dhe sistemi politik ra. Njëzet e tre vjet më parë, ne e themeluam Universitetin e parë shqiptar në Republikën e Maqedonisë. Patëm shumë probleme, por me punë të palodhshme dhe me miq të mirë si Universiteti i Ilinoisit Verior, u bëmë pjesë e familjes së madhe të universiteteve botërore.
Si studentë dhe si amerikanë, ju duhet të jeni të lumtur dhe krenarë që jetoni në një vend me një traditë të gjatë dhe të qëndrueshme të demokracisë, fjalës së lirë dhe, mbi të gjitha, që diplomoni në këtë universitet prestigjioz.
Gjatë viteve të fundit, unë kam pasur rastin të takoj shumë profesorë nga Universiteti i Ilinoisit Verior dhe presidenten tuaj të nderuar, Dr. Lisa Freeman, e cila nuk është vetëm një person i mrekullueshëm, por gjithashtu edhe një udhëheqëse e madhe që me gjithë zemër kujdeset për komunitetin e Universitetit të Ilinoisit Verior dhe e cila ka ndikim pozitiv te studentët e saj. Gjithkush duhet të jetë krenar për arritjet e tij dhe për kohën që e ka kaluar në këtë universitet prestigjioz.
Universiteti i Ilinoisit Verior është partneri ynë strategjik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Profesorët, prorektorët dhe Dr. Lisa Freeman nuk janë vetëm kolegët tanë të arsimit, por shumë më tepër se kaq: ata janë familja jonë.
Së bashku kemi krijuar platforma të përbashkëta që do të ndikojnë në gjeneratat e ardhshme, si themelimi i Qendrës për paqe dhe komunikim transkulturor, me qëllim zgjidhjen e problemeve politike në Ballkan përmes arsimit dhe krijimit të një bashkëjetese të qëndrueshme ndërmjet etnive të ndryshme në rajonin tonë.
Ne shqiptarët besojmë fort në vlerat amerikane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për ne, SHBA-të janë si një atdhe i dytë. Vendi juaj na solli lirinë, paqen dhe na ndihmoi të fitonim të drejtat themelore njerëzore.
Për mua, një nga gjërat më të rëndësishme në jetë është arsimimi dhe formimi si person. E di që mund të ndiheni të pikëlluar që largoheni nga ky universitet për të filluar një kapitull të ri në jetën tuaj, por unë ju siguroj se ka gjëra të mrekullueshme që ju presin në të ardhmen.
Ndoshta do të filloni një karrierë të re, do të krijoni familje ose do të kërkoni mundësi të reja, por bëni më të mirën që mundeni për veten, familjen dhe vendin tuaj. Kurrë mos i harroni kolegëttuaj të studimeve, miqtë, profesorët dhe Universitetin e Ilinoisit Verior. Mbështetni Universitetin e Ilinoisit Verior, studentët dhe fakultetet e tij përmes ngjarjeve alumni, duke mbështetur studentët aktualë dhe duke i ndihmuar ata.
Me kontributin tuaj si ish-të diplomuar, Universiteti do të bëhet më i fortë për fëmijët dhe familjen tuaj. Mendoni për të ardhmen dhe jo vetëm për veten tuaj. Humanizmi është shumë i rëndësishëm për botën. Ju e keni mundësinë të bëni ndryshime në botë.
Faleminderit që ma dhatë mundësinë t’ju drejtohem sot juve. Duke më nderuar mua e keni nderuar gjithë kombin shqiptar dhe këtë nder unë do t’ia kushtoj Universitetit të Tetovës, martirëve tanë, të gjithë profesorëve që sakrifikuan për Universitetin tonë dhe për kombin shqiptar.
Ju faleminderit të gjithëve!
Faleminderit Universitetit të Ilinoisit Verior!
Faleminderit Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
Zoti ju bekoftë Juve dhe Universitetin e Ilinoisit Verior!
Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar!
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”
Po ashtu për nder të Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në Muzeun Blackwell të Northern Illinois University është hapur edhe ekspozita me historikun e Universitetit të Tetovës, e cila do të qëndrojë e hapur deri në përfundim të vitit akademik 2017/2018.